VV-ja e dërgon në Kushtetuese Thaçin lidhur me votën e Haxhi Shalës: Ndërhyrje e rëndë në rendin kushtetues

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese  kërkesën për vlerësimin e veprimeve të presidentit, Hashim Thaçi, gjatë votimit të Qeverisë Hoti, përkatësisht lidhur me votën e deputetit Haxhi Shala, e që nga VV po konsiderohet si nxitje dhe detyrim ndaj deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë Hoti.

Në njoftimin e VV-së, thuhet se jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Njoftimi i plotë:

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jolegjitime.

Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërroi qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor.

Si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jokushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj.

Është e tepërt të thuhet më, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para.