​Vullnetarët e Kosovës që po japin ndihmë në Turqi, flasin për momentet prekëse

Operacionet për gjetjen dhe nxjerrjen e personave nga rrënojat po vazhdojnë edhe pesë ditë pasi dy tërmetet e fuqishme goditën Turqinë dhe Sirinë. Hataji mbetët zona më e rëndë në shtetin turk, ku po bëjnë kërkime, përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe disa pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, të cilët vullnetarisht kanë udhëtuar nga Kosova në Turqi.

Në një lidhje për KosovaPress, nga provinca Hataj, Ilir Gaxha nga kjo shoqatë, tregon se janë përgatitur me pajisje teknike të duhura dhe kanë ofruar ndihmën e tyre në kërkimin dhe nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

“Me shoqatën e kërkim-shpëtimit kemi ardhur me ndihmu, me gjetë njerëz të mbijetuar por edhe të japim ndihmën në kthimin e trupave. Shoqata e Kosovës për kërkim-shpëtim ka shprehur interesim që të vijë dhe në bashkëpunim me Ambasadën Turke, kemi arritur ta arazhojmë udhëtimit. Jemi pajisur, përgatitur dhe jemi personeli prej gjashtë personave. Udhëtimi ishte i gjatë, jemi nisur nga Prishtina në ora 9 me shumë pajisje dhe ndihma humanitare, kemi marrë pajisje të sofistikuara për kërkim-shpëtim urban. Kemi arritur në Aeroportin e Stambollit, prej aty me ndihmën e policëve dhe shoqatave turke, kemi lëvizë në Aeroportin e Adana, i cili ishte aeroporti i vetëm afër zonës së prekur që funksionon. Nga aty me automjet kemi udhëtuar mbi gjashtë orë nëpër kolona për me arrit në qytetin e Hatajit që është vendi më i prekur. Ne insistuam të vimë këtu sepse edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është e vendosur aty te stadioni, ku e vendosëm kampin”, tregon ai.

Ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të kërkim-shpëtimit po operojnë në zonën e Hatajit dhe po bashkëpunojnë me minatorët, duke u ofruar atyre edhe pajisjet e tyre teknike të cilat i posedojnë.

“Minatorët kanë rreth 2 mijë trupa që janë aktiv këtu, mirëpo kanë pajisje shumë primitive, lopata, shufra të metalit, dhe jo pajisje motorike. Ata thanë nëse kombinohemi do të bëhemi një ekip shumë më i mirë që të punojmë së bashku me pajisjet tona teknike dhe me forcën punëtore të tyre. Kur na u lutën që ne të jemi në gatishmëri të merremi vetëm me gjetjen e të gjallëve në moment që na alarmojnë dhe të jemi të pushuar, mirëpo pavarësisht kësaj ne insistuam që të ndihmojmë edhe në gjetjen e trupave të vdekur, nxjerrjen e tyre dhe ndërkohë nëse do të ketë edhe tërheqje të gjallëve të mobilizohemi dhe me prioritet do t’i trajtojmë ato por nuk deshëm të qëndrojmë pushuar. Ata u pajtuan dhe ndërkohë ne u aktivizuam dhe ishte mahalla Rexhep Taip Erdogan, në rrugën kryesore që quhet Kemal Ataturk dhe këtë lagje që ishte kryesisht me banorë sirianë dhe turkë, ne arritëm të nxjerrim një numër të madh të kufomave në bashkëpunim, pajisjet tona teknike luajtën rol kyç dhe guximi, vendosmëria dhe përgatitja teknike e djemve tanë”, thotë ai.

Ai shprehet se janë momente shumë prekëse ato kur duhet të nxjerrin kufomat prej rrënojave dhe t’ua japin familjarëve të tyre.

“Alberti, Mentori, Fanoli së bashku me Nebihun u treguan tepër shumë të vendosur dhe humanitar ku edhe kufomat i nxorën me duart e tyre pa hezituar. Ishte zotësia jonë që improvizuam sepse nuk kishin pajisje të mjaftueshme për të tërhequr gjithë ato kufoma që ishin dhe i morëm këto rripat e sigurimit në automjetet që janë të shkatërruara këtu në lagje dhe ato i shfrytëzuam për t’i nxjerrë kufomat dhe për të iu dorëzuar familjarëve. Ishin momente shumë prekëse. Fatkeqësisht ka aq shumë njerëz këtu që janë duke na bërë presion të gjitha organizatave, të gjithë vullnetarëve me prioritet me i nxjerr familjarët e tyre të vdekur, mirëpo ne normal po duhet t’u japim prioritet personave të cilët janë të gjallë”, shton ai.

Gaxha thotë se Ambasada e Britanisë në Prishtinë, si dhe njëra nga bankat në Kosovë, u kanë ndihmuar gjatë mobilizimit të tyre për të udhëtuar në Turqi, në mënyrë që të ndihmojnë në gjetjen dhe shpëtimin e personave të bllokuar në ndërtesa.

Mëngjesin e së hënës qytetarët në Turqi dhe ata në Siri u zgjuan nga dridhjet e dy tërmeteve, ku si pasojë kanë humbur jetën më shumë se 24 mijë persona.

Ndërsa, specialistë nga vende të ndryshme të botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në zonat e goditura.