Agim Çeku

Vulin në Izrael, Çeku: S’ka shkuar si turist, dihet botërisht se Izraeli e ka teknikën më të sofistikuar të inteligjencës

Ish-Ministri i Mbrojtjes dhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, e ka cilësuar si shqetësuese shkuarjen e Shefit të BIA’s serbe, Aleksandër Vulin, në Izreael, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Çeku ka thënë se Vulin s’ka shkuar atje si turist. Ish-Ministri ka thënë se Izraeli njihet për pajisjet më të sofistikuara të inteligjencës dhe se arsyeja e vizitës së Vulin atje janë pikërisht këto pajisje.

Ai ka lënë të nënkuptohet se Vulin po bën përgatitje, meqë siç ka thënë “do një rikuperim të shpejtë, edhe të këtij njësiti, edhe të tij”.

“Mua më shqetësoj fakti…Vulin është pa në Izrael. Ai dje ka udhëtu në Izreal. Nuk është shku me i vizitu ato monumentet historike të Izraelit, por dihet botërisht se Izraeli e ka teknikën më të sofistikuar të inteligjencës, pajisjet më të sofistikuara. Janë kompani private, nuk janë shtetërore. Janë kompani private që prodhojnë. Na kanë ofruar edhe neve. Disa herë kanë qenë te unë sa kam qenë ministër, përfaqësuesit e tyre duke ofruar pajisje të ndryshme. Pa asnjë dyshim (Vulin ka shkuar që të blejë pajisje). Dmth ka shku ose për pajisje ose përvoja. Ai e ka pësu një goditje, ai do një rikuperim të shpejtë, edhe të këtij njësiti, edhe të vetin, edhe i ka pa ndoshta mangësitë e caktume dhe atje s’ka shkuar vetëm si turistë”, ka deklaruar mbrëmë Çeku në Klan Kosova.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar dje fotografinë e njërit prej terroristëve të vrarë që sulmoi Policinë e Kosovës, për të cilin ka thënë se është roje e Vulinit. Bëhet fjalë për Bojan Mijailoviq.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, ka thënë Sveçla.