Vulin e thotë haptazi: BE është gjë e së kaluarës, sa më parë e kuptojmë që nuk duam të jemi atje, do jetë më mirë

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Alekandër Vulin ka thënë se Serbia nuk ka vend në Bashkimin Evropian.

Ai është shprehur kështu në një intervistë për Vecernje Novosti duke shtuar se sa më shpejt Serbia e pranon se “nuk duan” të jenë në Bashkimin Evropian dhe se “nuk ka vend atje, do të jetë më mirë”, dhe shtoi se marrëdhënia me BE nuk është çështje emocionesh por vendimesh racionale, transmeton lajmi.net.

“Nuk është çështja nëse duam të anëtarësohemi në BE, është çështja nëse BE-ja e do Serbinë. Duke gjykuar nga shantazhi i çmendur që po na ekspozojnë për të njohur Kosovën, për të shfuqizuar Republikën Srpska dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ata nuk e bëjnë këtë, nuk na duan”, tha Vulin.

Ai deklaroi se BE-ja si aleancë “është një gjë e së kaluarës”, sepse sipas tij, vendet e kanë humbur pavarësinë politike dhe “u bënë territore, jo shtete”.

Vulin ka folur edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të cilin ka thënë se ai është një burrshtetas që kujdeset për interesat e Serbisë.

“Ai nuk duhet të rrëfejë para mediave dhe politikanëve se çfarë do të bëjë, por të kujdeset për Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë. Unë besoj në vendimin e tij dhe ai e di që kurrë nuk e ka humbur fytyrën ashtu siç nuk ka bërë para asnjë vendimi që dëmtoi Serbinë”, tha Vulin.

Përndryshe, kjo deklaratë e Vulin vjen pak ditë pasi Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi tha se Serbia ka treguar konstruktivitet në dialog, ndërsa Kosova jo.