Vulin e fyen Edita Tahirin personalisht pas deklaratave për luftë: Ti nuk ke fëmijë, je gjyshe e çmendur

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryenegociatores së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e cila tha se në rast se Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve ekzistues do të kemi luftë.

Vulin është treguar i papërmbajtshëm ndaj këtyre deklaratave dhe ka eskaluar edhe në fyerje. Ai e ka quajtur Edita Tahirin ‘gjyshe të çmendur’.

“Tahiri nuk ka fëmijë të saj dhe për këtë arsye ajo deklaron aq lehtë për një luftë. Kur ajo ishte në detyrë, ajo nuk ishte vetëm, dhe tani, kur askush nuk kërkon asgjë, ajo është plotësisht e çmendur, “një gjyshe e çmendur”. Dhe për të gjithë ata që përdorin “gjyshen e çmendur”, për të thënë atë që nuk do të thonë me zë të lartë dhe dëshirojnë që në vazhdimësi ta shohin këtë, ju them qartë se nuk ka asnjë Kosovë të pavarur dhe pikë”, deklaroi Vulin.

Kujtojmë se Edita Tahiri gjatë ditës së sotme duke folur në një konferencë të organizuar për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, u shpreh se ‘Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën në kufijtë e saj ekzistues, do të ketë luftë’.