Vuçiqi: Jemi të gatshëm të kthehemi në dialog kurdo që na thërret Lajçaku

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deklaroi se në takimin me përfaqësuesin special të BE-së është arritur pajtueshmëri që Serbia të jetë plotësisht e përkushtuar për vazhdimin e dialogut dhe kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi.

“Ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun, kurdo që Lajçaku e cakton atë”, tha Vuçiqi.

Vuçiqi vlerësoi se pozicioni i Serbisë në botë do të jetë më i fuqishëm sa më afër t’i afrohet BE-së dhe se kjo rrugë është e përcaktuar nga përparimi në marrëdhëniet me Prishtinën.

“Ne duam që të arrihet një zgjidhje kompromisi me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Sado bisedime të vështira të kemi, është më mirë të kemi dialog, sesa të mos flasim, sepse në atë situatë, jeta e njerëzve, paqja dhe stabiliteti do të rrezikoheshin”, tha Vuçiqi.

Ai deklaroi se Serbia këmbëngul në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe vlerësoi se ky është një kusht pa të cilin nuk ka vazhdim të suksesshëm të dialogut.

“Thelbi i Marrëvshjes së Brukselit është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, tha Vuçiqi, duke theksuar që Serbia i ka përmbushur të gjitha elementet, ndërsa Prishtina nuk ka bërë asgjë për shtatë vjet e gjysmë, duke pretenduar se ajo duhet ta respektojë Kushtetutën e Kosovës.

“Ne dëshirojmë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët me këta njerëz dhe jo të mendojmë se si dikush do të mashtrojë dikë”, tha Vuçiqi.