Vuçiqi e quajti Joseph si “agjent të shqiptarëve”, reagon ashpër qendra diplomatike amerikane

Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike e Departamentit Amerikan të Shtetit i ka reaguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit profesorin amerikan në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e quajti si “agjent të shqiptarëve”.

Nëpërmjet një reagimi në ‘Twitter’, nga kjo byro e kanë cilësuar këtë deklaratë të Vuçiqit si “taktikë të pistë” dhe se komente të këtilla “nuk kanë vend në vende demokratike”, shkruan Demokracia.com.

“Taktikat e pista, sikurse ato të përdorura kundër Edward P. Joseph, nuk kanë vend në shoqëritë demokratike. Zërat e pavarur dhe organizatat e shoqëritë civile promovojnë llogaridhënie dhe transparencë. Ne i vlerësojmë ata që përpjekën për shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagimin e byrosë së DASH-it, duke ia bashkëngjitur një fotografi të profesorit Joseph me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lidhur me këtë deklarim ka reaguar më herët edhe vetë njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se një pretendim i këtillë është krejtësisht i rremë.

Joseph, i cili shërbente si nënkryetar i misionit të OSBE-së në Kosovë, thekson se përpjekjet e tij fokusohen në mirëqenien e serbëve të Kosovës, “dhe jo në ‘kompensimin’ e Beogradit”.

“Duke shpifur ndaj meje, Vuçiq tregoi edhe një herë karakterin e tij”, tha Joseph, i cili gjithashtu shtoi se “i pahijshëm”është fjala e denjë për sjelljen e Vuçiqit.