Presidenti i Serbisë

Vuçiq s’e mohon se ushtria është nisur drejt Kosovës, por thotë se s’ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë luftarake

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se nuk ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë luftarake.

Vuçiq i është përgjigjur kësaj në pyetjen e një gazetari për një kolonë të madhe të mjeteve të blinduara luftarake të Ushtrisë Serbe që janë parë më herët gjatë ditës së sotme në rrugën kryesore Kraljevë – Rashkë, drejt kufirit me Kosovën, transmeton Ballkani.info.

“Këto janë aktivitetet tona të rregullta dhe asgjë më shumë. Në një moment e ngritëm gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë. Në atë kohë kishte mijëra pjesëtarë të ushtrisë sonë. Kjo nuk po ndodh për momentin, por aktivitetet e rregullta janë intensifikuar disi”, ka shtuar Vuçiq.

Ai po ashtu tha se kur të ngrihet gatishmëria luftarake, publiku në Serbi do të informohet menjëherë për këtë.

I pyetur nga gazetarët për takimin e djeshëm me të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, Vuçiq tha se nuk mund ta kritikojë Lajçakun dhe shtoi se as zyrtari evropian nuk është në pozitë të lehtë.

“Nuk është një situatë e lehtë”, tha presidenti i Serbisë dhe shtoi se vendimet kryesore merren në Berlin dhe Uashington.

Duke folur për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë tha se “shumë janë të tmerruar nga fjalimi i tij, e disa janë të lumtur”.

“Por askush nuk mund t’i kundërshtonte faktet, unë fola me zemër dhe kokë dhe thashë të vërtetën për hir të historisë”, tha Vuçiq. /Ballkani.info/

LEXONI EDHE: