Vuçiq ‘rrëshqet’ keq, përmend marren e serbëve kur vidhnin patike në Beograd gjatë protestës kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas lajmit se ish-presidenti i RFJ-së dhe kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka nënshkruar peticionin e të ashtuquajturës Lëvizje për Mbrojtjen e Kosovës.

Presidenti i Serbisë tha se të gjitha këto peticione janë “të mira”, por konkretisht iu referua faktit se një nga nënshkruesit e këtij dokumenti është edhe ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe ish kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica.

“Është e drejtë e tyre demokratike dhe jam i lumtur që jetojmë në një shtet demokratik”, filloi prezantimin e tij Vuçiq dhe më pas filloi të flasë për Koshtunicën.

“Vetëm kur e lexon shpjegimin e atij peticioni, dhe pyet veten – çfarë lirove në vitin 2003 apo kur, në vitin 2001, nuk ka rëndësi… Pse i lirove 1800 shqiptarë nga burgjet serbe, përfshirë edhe vëllezërit Mazrreku? Pse i latë të shkojnë? Pse heshtni dhe i latë të na djegin kishat dhe manastiret në Kosovë  në vitin 2004… Pse heshtni ju që e keni firmosur dhe organizuat mitingun “Kosova për patike” në vitin 2008 dhe ai ishte i gjithë angazhimi juaj. Dhe ky tjetri iku në Rumani. Unë nuk ik askund, shkoj para popullit tim, shkoj para parlamentit… Shkojmë të dëgjojmë sharjet dhe poshtërsitë më të këqija të mundshme dhe nuk e kam problem. Unë do t’i përgjigjem secilit prej tyre”, tha Vuçiq.

Peticioni u nis në Savindan dhe fillimisht u nënshkrua nga 205 anëtarë dhe simpatizues të kësaj Lëvizjeje, duke përfshirë disa emra të njohur, duke përfshirë një që nuk është parë në publik për një kohë të gjatë – ish presidentin e RFJ-së dhe ish kryeministrin e Serbisë – Vojislav Koshtunica.

“Kosova për patika” është frazë e njohur në Serbi. Gjatë protestës në Beograd në vitin 2008, serbët më shumë u panë duke vjedhur dyqanet sesa protestonin kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Madje një video nga vjedhjet masive atje pati bërë xhiron e botës, kur serbët thyen një dyqan të patikave dhe i vjedhin ato. /Ballkani.info/