Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot, duke përmbledhur përshtypjet nga seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, se do të shihet në ditët në vijim se si do të reagojë Prishtina ndaj mesazheve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nevoja e shtyrjes së vendimit për heqjen e dinarit.

“Jemi duke analizuar atë që kanë thënë përfaqësuesit e disa vendeve, më duket se përshtypja ime, ajo që thashë mbrëmë ishte e saktë, kështu që do të shohim tani, do të shohim pas mesazheve të fundit, ku amerikanët kërkojnë shtyrje prej katër muajsh, si do të reagojë Prishtina. Mendoj se këto gjëra nuk janë të parëndësishme”, tha Vuçiq për Televizionin Pink nga Nju Jorku, një ditë pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar vendimit të Prishtinës për heqjen e dinarit në Kosovë, transmeton Ballkani.info.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield, siç kujtoi ai, tha se Uashingtoni shpreh rezerva për vendimin për ta bërë euron valutë të vetme të Kosovës dhe i bëri thirrje Prishtinës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi derisa të përcaktohen mekanizmat e duhur në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Vuçiq tha se seanca e Këshillit të Sigurimit, të cilën e diskutoi më herët sot me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ishte e rëndësishme për të vlerësuar qëndrimin e Serbisë.

“Ne analizuam gjithçka që ndodhi mbrëmë. Mendoj se seanca e Këshillit të Sigurimit ishte e rëndësishme për ne për të parë pozitën e vështirë në të cilën ndodhemi, jo për shkak të sjelljes së Prishtinës, por për shkak të asaj se sa ndryshe mendon një pjesë e rëndësishme e botës nga ajo që mendojmë ne. Por, sigurisht, të shohim se sa miq të vërtetë kemi, të cilët janë me vendin tonë”, tha Vuçiq.

Mirëpo, Vuçiq nuk e tha as edhe një fjalë për kërkesën eksplicite të vendeve aleate të Kosovës për hetimin dhe ndëshkimin e terroristëve të Banjskës në krye me Milad Radoiçiqin, njeriun që ai po e mbron të lirë në Serbi.

Vuçiq theksoi si të rëndësishme se 12 ose 13 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën pa mëdyshje se nuk pajtohen me lëvizjet e Prishtinës, veçanërisht për sa i përket dinarit.

I pyetur se çfarë mendon për faktin që kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkoi nga Nju Jorku në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në një panel ku do të jetë i pranishëm edhe lideri i Partisë Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, Vuçiq tha se ishte i sigurt se Gjilasi do ta kundërshtonte ashpër “dhe vetëm ne nuk do të mund ta dëgjojmë”.

“Do të ketë një rezolutë të përbashkët kundër diktatorit në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, të gjithë do ta nënshkruajnë, por që të mos duket se e kanë nënshkruar njëri nën tjetrin, kaq”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha gjithashtu se ndihet krenar për faktin se paraqet pengesë për ata që duan të kolonizojnë Serbinë dhe që duan që të tjerët të vendosin në emër të saj.

“Jam krenar për faktin se nuk do të udhëheq politikën e tyre, por po e udhëheq politikën serbe. Politika serbe është e ardhmja e Serbisë”, tha Vuçiq në lidhje me pretendimet e opozitës se rezoluta e Parlamentit Evropian për zgjedhjet e dhjetorit në Serbi nuk është e drejtuar kundër popullit serb, por kundër tij.

Vuçiq ka vlerësuar se nuk i kanë bërë asgjë me atë rezolutë dhe ka akuzuar opozitën për “shpifjen e vendit të tyre dhe prishjen e imazhit të saj” në Parlamentin Evropian. /Ballkani.info/