Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur dje para anëtarëve të partisë së tij, Partia Përparimtare Serbe për ngjarjet aktuale në Serbi, duke akuzuar shërbimet e jashtme që, gjoja “kanë paguar shuma të mëdha” që të mposhtet Lista Serbe në zgjedhjet në Kosovë.
Ai ka thënë se “Lista Serbe është parti e vetme e cila vepron në mbrojtje interesave të komunitetit serb në Kosovë”.
“Na sulmuan për shkak të Listës Serbe, duke na thënë se ai serb i madh, për të cilin votuan shumë serbë të nderuar në veri të Kosovës… ishte Arsenijeviqi apo si quhej”, përpiqet Vuçiqi të bëhet ironik.
“Dhe a e patë dje Rashiqin. Dhe në fund, Kurtit i vjen keq që ata të dy nuk kanë marrë edhe ndonjë mandat më shumë për të sulmuar Listën Serbe. Në fund, Lista Serbe ka qenë e vetmja “që ka mbrojtur interesat e popullit serb”, ndoshta edhe ndonjë parti tjetër, por jo të këtyre dyve, të cilët kanë bërë që gjithçka të shkatërrohet dhe të shembet”, ka thënë Vuçiqi, duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të PPS-së.
Më pas i është drejtuar shërbëtorit të tij besnik, i cili është i ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviqit: “Petkoviq, sa para ka marrë nga vende të ndryshme, nga Gjermania e tutje, vetëm për të shkatërruar Listën Serbe, a është ashtu?! Dhe nga agjencitë që paraqiten si agjenci zhvillimore… Të gjitha paratë, vetëm “për të shkatërruar popullin serb” dhe Listën Serbe në Kosovë. E njëjta gjë është edhe në Republikën Serbe”, nuk ka mundur ta fshehë nervozizmin Vuçiqi.







