Presidenti serb

Vuçiq: Kur t’i fshijnë kufijtë Kosova me Shqipërinë, do të hiqet edhe taksa

Beogradi zyrtar ka reaguar pas njoftimit në Kosovë se nga fundi i marsit nuk do të ketë kontrollime kufitare mes Kosovës e Shqipërisë.

Aleksander Vuciq, president i Serbisë, ka thënë sot në një konferencë për medie, se shqiptarët kanë plan të heqin taksën vetëm atëherë kur ta sjellin Bashkimin Evropian para aktit të kryer.

Vuciq e lidhë çështjen e heqjes së kufijve mes dy shteteve shqiptare me taksën prej 100 për qind që i ka vënë Qeveria e Kosovës të gjitha produkteve të importuara nga Serbia.

“Unë e kam të qartë se ata po e zhvillojnë planin e tyre. Por, në fund të muajit mars, kur t’i fshijnë kufijtë, atëherë edhe do ta heqin taksën ndaj Serbisë Qëndrore, dhe do të thonë se janë të gatshëm të bisedojnë, por nga një pozicion tjetër, nga ai i Kosovës dhe Shqipërisë së bashkuara”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se Beogradi ka bërë paralajmërime edhe më parë se do të ndodhë diçka e tillë si heqja e kufijve mes Kosovës e Shqipërisë.

Ndryshe, në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes mes dy ministrave të brendshëm të Kosovës e Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte përshëndetur marrëveshjen duke dhënë një afat të mundshëm për heqjen e kufirit mes dy vendeve.

“Që nesër (29 dhjetor) nuk ka më dy kontrolle, por vetëm një. Ndërsa shpresoj shumë se më 1 Mars ose 2 Prill, s’po them 1 Prill, ky kufi të mos jetë më, por kjo të jetë pika që na bashkon”, kishte thënë Haradinaj.