Vuçiq ia kujton Ukrainës: Nuk na ndihmuat në vitin 1999

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Serbia nuk ka bërë kurrë asgjë kundër Ukrainës, se nuk njeh dhe nuk i pranon rezultatet e referendumit rus.

Ai tha gjithashtu se kurrë nuk e ka njohur ndarjen e pjesëve të territorit ukrainas.

Situata e Serbisë formalisht dhe juridikisht është e pastër si loti dhe nuk ka asgjë për t’u ankuar, tha Vuçiq.

Derisa ai në lidhje me deklaratën e ambasadorit ukrainas në Beograd, Volodymyr Tolkach, tha se është një pyetje shumë e vështirë për Ukrainën nëse e kupton vendimin e Serbisë, për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se është “qesharake” të krahasohet çështja e Kosovës dhe katër rajoneve ukrainase që Rusia u shkëput së fundi.

Tutje Vuçiq e akuzoi Ukrainën se edhe ajo nuk e ka mbrojtur sipas tij, Serbinë, më 1999 kur ishte sulmuar nga NATO.

“Ne e respektojmë atë dhe prandaj mbrojmë integritetin territorial të Ukrainës, por nëse ata vendosin të bëjnë disa dallime, është mirë të dini se do të marrin përgjigje më të detajuara”, tha Vuçiq.