Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po ndërhynë” në zgjedhjet parlamentare që po mbahen këtë të diele në Francë, meqë ai thotë se ky i fundit po e mbështet liderin e ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon.

“Kurti po përpiqet të ndihmojë Melenchon i cili kishte marrëdhënie korrekte me Serbinë. Unë vërtet mendoj se kur ndërhynë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë në disa zgjedhje evropiane, mendoj se është e pakuptimtë dhe e papërgjegjshme dhe flet për Kurtin se sa e shqetëson Emmanuel Macron atë”, tha Vuçiç një intervistë për TV Prva në Serbi.

Ndërkaq teka ka folur për Serbinë, ai ka theksuar se shteti i tij nuk mund të përkrahë askënd kur bëhet fjalë për proceset zgjedhore në vendet tjera, sepse siç thekson, “është kundër ndërhyrjes së çdokujt në zgjedhjet në Serbi”.

“Mund të flas për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me presidentin Macron për faktin se kemi komente të mira për të djathtën franceze në lidhje me qëndrimin e Serbisë. Por, nuk mund të them se kush si do të votojë në Francë”, shtroi kreu i shtetit serb.

Tutje, Vuçiç gjatë kësaj interviste e ka quajtur “lobist shqiptar” profesorin në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer.

“Daniel Server është një lobist shqiptar”, potencoi presidenti serb pasi ka komentuar deklarimin e profesorit amerikan i cili ka thënë se “Vuçiç arriti të marrë pushtetin në Podgoricë dhe Banja Lukë pa asnjë të shtënë, gjë që de facto arriti fazën e parë të botës serbe”.

“Është thënë plotësisht në mënyrë të pandërgjegjshme. Është e qartë se çfarë i mungon. Vazhdo të ëndërrosh për raketa lundrimi, por çdo ëndrre i vjen fundi”, ka porositur Vuçiç profesorin amerikan.

Ai theksoi se Serbia do të përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, derisa ka treguar se së shpejti do ta presë presidenten e RMV-së, Gordana Davkova si dhe kryeministrin e ri të këtij shteti.

“Do të shohim që miqësia do të vazhdojë. Ne nuk kemi ambicie politike dhe nuk na intereson kjo, ndryshe nga kandidati i Serwerit, Kurti”, përfundoi ai.