Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrici tha se gjatë takimit të nesërm mes Thaçit dhe Vuçiqit, do të diskutohet edhe çështja e 10% të taksave ndaj mallrave serb, taksë kjo që u ngrit ditën e djeshme nga Qeveria e Kosovës.
Fabrici tha se Bashkimi Evropian do të kërkojë sqarime nga autoritetet kosovare për këtë vendim.
“Ne jemi kundër këtij vendimi pasi që nuk është në përputhje me marrëveshjen e CEFTA-s dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” u shpreh Fabriç, transmeton Ballkani.info.
Të gjitha këto tema, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian tha se do të bisedohen në takimin e nesërm në Bruksel mes Presidentëve të dy vendeve fqinje, gjithashtu edhe me pjesëmarrjen e Federica Mogherinit.
Vendimin e Qeverisë së Kosovës, e ka kritikuar edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se shpreson që Kosova të ndërmarrë diçka kundër këtij vendimi. Sipas saj, ky vendim është kundër marrëveshjes së CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Ky vendim nuk është diçka që e kemi pritur, jemi në shekullin e 21 dhe jemi duke dialoguar për stabilitet dhe jetë më të mirë të qytetarëve”, ka shtuar Bërnabiq. /Ballkani.info/







