Vucic merr zemër ta kundërshtojë SHBA’në: Thotë se do ta refuzojë takimin me Trump nëse i kërkohet kjo gjë

Kosova dhe Serbia qëndrojnë para dialogut të rëndësishëm në SHBA, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje ekonomike. Por nëse i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vucic thotë se do ta refuzojë takimin me presidentin amerikan Donald Trump.

Kështu tha ai ditë më parë para mediave, kjo pas deklaratave të Kryeministrit Avdullah Hoti se njohja reciproke është e vetmja çështje për të cilën do të diskutojë.

Nëse flitet për këtë, atëherë Vucic tha se do ta refuzojë takimin me presidentin Trump dhe kryeministrin kosovar.

“Kjo do të më bënte presidentin e parë serb i cili do të refuzojë një takim me presidentin amerikan”, ka thënë Vucic.

Kujtojmë se emisari i SHBA’së, Richard Grenell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje ekonomike në takimin që pritet të mbahet nesër në kryeqytetin amerikan, Washington.

Ndryshe, delegacioni i Kosovës në këtë takim përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi, Meliza Haradinaj dhe koordinatori nacional Skënder Hyseni.

Prijës i grupit të Serbisë do të jetë presidenti, Aleksandër Vucici, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Djuric, Ministri i Financave, Sinisa Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadez.