Vuçeviq me tone kërcënuese: Jemi më të fortë se në vitin 1999, por jemi të vetëdijshëm se në Kosovë ka forca të KFOR-it

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se ushtria serbe është e aftë, e trajnuar dhe e gatshme për të kryer çdo detyrë.

“Ne nuk duam luftëra, nuk duam që asnjë nga fëmijët apo oficerët tanë të vuajë. Nuk duam të vuajnë as kombet e tjera, por thirrjet tona për dialog nuk do të thotë se jemi të dobët apo të papërgatitur e të pavendosur. Thjesht mendojmë se është më mirë të dialogojmë dhe të bisedojmë, të ulemi në tavolinë në vend që të qëndrojmë në llogore”,tha ai.

Ministri serb shkoi edhe më tutje duke thënë se “ushtria serbe sot është shumë herë më e fortë se në vitin 1999”.

“Ne nuk duam të kthehemi në 1999, nuk duam luftëra dhe vuajtje. Askush nuk është duke tundur armët apo duke luajtur lojëra lufte. Ne jemi të moderuar në deklaratat tona, të përgjegjshëm, por nga ana tjetër po u dërgojmë mesazh të gjithëve se është e pamundur të arrihet një zgjidhje nëse serbët duhet të humbasin gjithçka dhe pala tjetër të fitojë gjithçka. Ky nuk është kompromis atëherë bëhet fjalë për humbje dhe poshtërim të njërës palë dhe qëndrim haptazi pranë palës tjetër. Këto janë ultimatume, zgjidhje imponuese”shtoi ai, transmeton lajmi.net.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se në Kosovë ka forca të KFOR-it, në thelb të NATO-s. Nuk po flasim vetëm për njësitë speciale të policisë dhe forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat tani de facto po shndërrohen në ushtri, por kujt i intereson, ata kanë agjendën e tyre dhe pavarësisht gjithçkaje që është rëndë dakord, ata po e shtyjnë historinë e tyre”,shtoi ai./Lajmi.net/