Gjykim

Vrasja e rëndë në tentativë, gruaja në gjykatë: Vendosni drejtësi, rasti im si i Liridona Ademajt

Zotëri gjykatës, të lutem vendose drejtësinë – rasti im është i njëjtë si i të ndjerës Liridona Ademaj”- ishte deklarata para Gjykatës së Prishtinës më 14.06.2024 e të dëmtuarës L.J., në rastin në të cilini sh- bashkëshorti i saj, Ekrem Shala akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë, raporton Kallxo.com.

Ajo kërkoi drejtësi me qëllim që të ketë siç tha një jetë normale bashkë me fëmijët e saj.

Liridona Ademaj  ishte vrarë më 29.11.2023 në Prishtinë. Rastin e inskenuar si grabitje, dyshohet se e përgatiti bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Të dyshuar  lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademaj janë: Naim Muresli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Lidhur me këtë rast të dyshuarit gjenden në masën e paraburgimit.

Ndërkaq në rastin e së premtes në Gjykatën e Prishtinës, L.J., vazhdoi me dhënien e dëshmisë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit, Armend Krasniqi që mbron të akuzuarin Ekrem Shala.

Krasniqi i prezantoi një fotografi të dëmtuarës, duke e pyetur nëse e njihte personin.

E dëmtuara deklaroi se personi me emrin Astrit Sejdiu është bashkëpunëtor i tashmë të akuzuarit, Ekrem Shala, ish-bashkëshorti i saj.

Sipas të dëmtuarës, Sejdiu dhe Shala janë duke bërë planin për ta vrarë atë.

L.J. tha se lidhur me planin e Sejdiut dhe Shalës, takimet ishin zhvilluar në Shqipëri.

“Këta kriminelë janë duke bërë plan me m’vra mu” – theksoi ajo.

Çka thotë aktakuza  e Prokurorisë?

Aktakuza ndaj të akuzuarit Ekrem Shala është ngritur me 18.01.2023 dhe ai akuzohet për dy vepra penale: vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.

Lidhur me këtë rast, i akuzuar ishte edhe vëllai i Ekrem Shalës, Sokol Shala, ndaj të cilit, gjykata e kishe hedhur akuzën e prokurorisë në drejtim të tij, në fazën kur ishin paraqitur kundërshtimet e provave dhe ishte bërë kërkesa për hedhje të aktakuzës.

Të pandehurit Ekrem Shala dhe Sokol Shala sipas Prokurorisë, me datën 21.08.2022 rreth orës 21:30 minuta në bashkëkryerje, me veturën e tipit “Audi A4” kanë shkuar në fshatin Bardhosh, komuna e Prishtinës, ku edhe banon gruaja.

Tutje sipas aktakuzës, me të shkuar tek shtëpia e të dëmtuarës, dy të pandehurit kanë qëndruar para dyerve të shtëpisë së saj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kohës sa i akuzuari Ekrem Shala dhe vëllai i tij ishin duke qëndruar tek dyert, në atë moment vjen me veturë e dëmtuara së bashku me vëllain e saj, motrën dhe me nënën e saj dhe vërejnë që para tyre është duke qëndruar një veturë.

Pasi të dëmtuarit kanë vërejtur se e kujt është vetura, sipas Prokurorisë, me anë të shenjësimit me drita të veturës kanë kërkuar që të ju lirohet rruga për të kaluar me veturë.

Pas shenjësimit me drita, thuhet se Ekrem dhe Sokol Shala ishin larguar nga vendi, për tu kthyer përsëri disa minuta më vonë pikërisht në vendin e njëjtë, para dyerve të shtëpisë së të dëmtuarës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pas këtij veprimi, e dëmtuara ka shkuar tek vetura e vëllezërve ku në ato momente i akuzuari Ekrem Shalae kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën, pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin mes vete.

Nga këto veprime të Ekrem Shalës, kishte pësuar lëndime të rënda trupore gruaja.

Kjo përleshje nuk ka përfunduar me aq, pasi që prokuroria tregon detaje të tjera që tregojnë se si tashmë i akuzuari kishte nxjerrë armën me qëllim që të privojë nga jeta ish-gruan e tij dhe familjarët e saj duke shtënë katër herë në drejtim të tyre.

Me këto veprime Ekrem Shala ngarkohet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast kryetar i trupit gjykues është Naser Foniqi dhe anëtarë janë Alltëne Muresli dhe Artan Sejfulla.