Vrasja e para një viti në Podujevë, dëshmitari thotë se babai vrau djalin për dy banesa në Fushë Kosovë

Dëshmitari Shefqet Smajli ka deklaruar se i akuzuari Naim Smajli e ka vrarë djalin e tij, E.S shkaku i probleme me dy banesa në Fushë Kosovë.

Dëshmitari ka thënë se një javë para ditës kritike i akuzuari Naim Smajli ishte paraqitur në Polici sikurse edhe i ndjeri E.S për shkak se kishin pasur probleme pronësore. Sipas tij, Policia i kishte këshilluar të përmbaheshin nga veprimet e dëmshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto deklarime dëshmitari Shefqet Smajli, i cili është djali i axhës së Naim Smajlit, i ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është mbajtur shqyrtimi gjyqësor.

Madje, Shefqet Smajli ka thënë se me të akuzuarin kishte pasur probleme pronësore, kishte pasur një proces gjyqësor civil por se i akuzuari nuk ishte paraqitur asnjëherë në gjykatë.

Dëshmitari ka treguar se në ditën kritike ishte telefonuar nga gruaja pasi kishte dëgjuar të shtëna në vendin ku i ndjeri po prente bari me traktor.

Shefqet Smajli tha se në vendin e ngjarjes kishte parë gëzhoja të kallashit dhe se i ndjeri E.S ishte i shtrirë për tokë afër traktorit.

Dëshmitari ka thënë se nuk e mbanë në mend se kur i kanë pasur raporte të mira me të akuzuarin Naim Smajlin.

Po ashtu dëshmitari Smajli sqaroi se i akuzuari Naim Smajli nuk i ka raportet e mira as edhe me fqinjët dhe familjarët e tjerë kryesisht për shkaqe pronësore.

Pasi dha dëshminë tij kryetarja e trupit gjykues gjykatësja Alltën Murseli pyeti palët për propozime të reja për dëgjimin e dëshmitarëve ku prokurorja Limani tha se nuk ka propozime të reja ndërkaq avokat Aslani propozoi dëshmitarët Gzim Gashin, Shukrije Ssmajlin, ekspertin mjeko-ligjor dhe ekspertin e psikiatrisë forenzike.

Mirëpo trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatit Asllani për dëgjimin e dëshmitarëve Gashi dhe Smajli pasi që nuk kane qenë dëshmitarë okularë në ditën kritike, si dhe u refuzua dëgjimi i ekspertit mjeko-ligjore pasi që ekspertiza është e kuptueshme.

Ndërkaq u aprovua propozimi për dëgjimin e ekspertëve të psikiatrisë-forenzike.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua me 26 korrik të këtij vitit ku pritet të dëgjohen eksperti i psikiatrisë forenzike me emrin si në shkresat e lëndës.

Naim Smajli po akuzohet nga Prokuroria Themelore për veprën penale “vrasje e rëndë” ndaj E.S ku i ndjeri ishte djalë i të akuzuarit si dhe për veprën penale “mbajte në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë me 22 dhjetor të 2022 N.S rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore lidhur me çështje pronësorë me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

Me këto veprime N.S akuzohet nga prokuroria për veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.(KPRK).

Gjithnjë sipas aktakuzës N.S nga data e pacaktuar e deri me datën 13 qershor të 2022 ka mbajtur në pronësi armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ka kryer edhe veprën penale “Mbajte në Pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së./BetimipërDrejtësi