Graçanicë

Vlera të rritura të manganit në ujë, KRU “Prishtina”: Autoboti për shpërndarje të ujit është vendosur në Graçanicë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka vendosur një autobot me ujë në Graçanicë, që nga ora 9:00 e mëngjesit të sotëm (e premte), për të shpërndarë ujë të pijes për qytetarët.

KRU “Prishtina”, këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Ju njoftojmë se autoboti është i stacionuar në Graçanicë që nga ora 09:00”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje të enjten në orët e vona qytetarëve të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

IKSHPK ka bërë të ditur se ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë dhe se mos përdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit do të vlejë deri në njoftimin e radhës.