Vladimir Putin e arrin qëllimin e ndikimit, Armenia detyrohet të kërkojë mbrojtje ushtarake

Ndikimi rus në Armeni, ka detyruar këtë shtet që të kërkojë ndihmë edhe një herë presidentit Vladimir Putin. Por kësaj radhe ndihma që Armenia po kërkon nga Putini është ushtarake. Kjo për Putinin është edhe qëllimi i realizuar, pasi fillimisht ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes së birsht në mes këtyre shteteve, në aspektin ushtarak. Ndihma që po kërkon Armenia është për shkak të një përshkallëzimi të ri në mes Azerbejxhanit dhe Armenisë që vitin e kaluar zhvilluan një betejë disa ditore për një territor të kontestuar.

Këshilli armen i sigurisë tha se Jerevani po përdorte një traktat të mbrojtjes reciproke ruso-armene të vitit 1997 për të zmbrapsur atë që tha se ishte një sulm nga forcat azerbajxhanas që përfundoi me vdekje armene dhe humbje territoriale. Vetë Baku akuzoi Jerevanin për një “provokim në shkallë të gjerë” në kufi. “Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të mbrojë integritetin territorial të Armenisë në kuadër të marrëveshjes së vitit 1997”, tha shefi i këshillit armen të sigurisë Armen Grigoryan.

“Ne presim që Rusia të ofrojë ndihmë dhe do të kemi mundësinë për të rivendosur integritetin territorial të Armenisë”, shtoi Grigoryan. Ambasadori armen në Moskë, Vardan Toganyan i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS se diskutimet midis Armenisë dhe Rusisë mbi situatën ishin duke u zhvilluar përmes kanaleve diplomatike dhe ushtarake.

Tensionet në kufi janë ndezur dhe fikur që kur Armenia dhe Azerbajxhani arritën një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund një konflikti të armatosur gjashtë-javor për kontrollin e Nagorno-Karabakut që mori më shumë se 6500 jetë. Sipas armëpushimit, Armenia lëshoi një pjesë të territoreve që kishte kontrolluar për dekada. Rreth 2 000 paqeruajtës rusë u vendosën në Nagorno-Karabakh për një mandat pesë-vjeçar të rinovueshëm sipas marrëveshjes. Sipas News.am, Grigoryan tha se ndihma e Rusisë mund të vijë në formën e negociatave të rinovuara ose “ndihmës ushtarake”.

“Nëse është e mundur të zgjidhet kjo situatë përmes negociatave, atëherë zgjidheni atë përmes negociatave, dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë jepni Armenisë me ndihmë të mjaftueshme ushtarake në mënyrë që Armenia të mund të zgjidhë situatën aktuale”, citohet të ketë thënë ai. Separatistët etnikë armenë në Nagorno-Karabakh u shkëputën nga Azerbajxhani pasi Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991 dhe konflikti që pasoi mori rreth 30 000 jetë. Të dy vendet shkëmbyen akuza për hapjen e zjarrit në kufirin e tyre pranë Karabakut të dielën. Moska ende nuk i është përgjigjur publikisht kërkesës. /Ballkani.info/