Vjosa Osmani reagon pasi që aktivistët e VV-së tentuan ta sulmonin Berat Buzhalën

Drejtori i Gazetës Express, Berat Buzhala, ka bërë të ditur se dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar ta sulmojnë.

Tentim sulmin e ka dënuar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se sulmi ndaj Buzhalës është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe.

“Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe”, shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja gjithashtu ka ftuar autoritetet e rendit të merren me hetimin e rastit.

“Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin”, ka ftuar Osmani.

Tutje, Osmani i ka quajtur gazetarët heronj në raportimin gjatë kohës së pandemisë që ka shkaktuar koronavirusi.

“Gazetarët duhet ta gëzojnë fjalën e lirë, konform standardeve profesionale dhe ligjeve në fuqi. Ata këto ditë janë heronj gati po aq sa mjekët, infermierët, policët dhe shërbyesit e tjerë emergjentë që janë mobilizuar kundër pandemisë Covid-19. Prandaj duhet t’i përkrahim që të gjithë”, ka shkruar Osmani.

Buzhala përmes një shkrimi ka njoftuar se pranë një barnatore në Prishtinë, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur ta sulmojnë.

“Ne presence te kater pese vetave, te barnatorja Rexal ne Prishtine, dy vagabonda te Vetevendosjes deshten me me sulmu.”, shkruan Buzhala.