Vjosa Osmani e kujton Ibrahim Rugovën: Ishte njeri model, na la trashëgimi miqësinë me SHBA-të

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka kujtuar Ibrahim Rugovën në datën që përkon me ditëlindjen e tij. Osmani e ka quajtur ish-presidentin si njeri model që i la Kosovës trashëgimi miqësinë me SHBA-të dhe gjithandej globit.

“Sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës.
Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.

Ibrahim Rugova, bashkë me shumē burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur. Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij. Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës.

Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.
Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës” shkruan Osmani në Facebook.