Vjedhje në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë, hesht MPB-ja

E marta ishte ditë pune sikurse të gjitha ditët e zakonshme.

Por vetëm dy ditë më parë ky vend ku banorët e komunës së Podujevës pajisen me dokumente personale, u bë cak i vjedhjes.

Për atë që ndodhi gjatë vikendit nuk pranuan të flasin nga zyra e Ministrisë së Punëve të Brendshme me arsyen se parat e vjedhura janë të zyrës së postës, ndonëse e njëjta gjendet në ambientet e Qendrës së Regjistrimit Civil.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, nga kasafortë e postës janë marr mbi 5 mijë euro, mbushje të telefonit në vlerë rreth 200€ dhe pulla postare në vlerë rreth 100€.

Ata që kryen këtë vjedhje, u kujdesen që me vete t’i marrin edhe regjistrimet e kamerave të sigurimit të cilat janë të vendosura në këtë objekt.

Të shqetesuar për këtë ngjarje e cila nuk po ndodhë për herë të parë janë banorët e Podujevës.

Qazim Hasani, banor në Podujevë ka thënë se “Kjo është shumë e keqe pasi para disa vitesh ka pasur thyerje në këtë objekt, në atë periudhë patën marr edhe dokumente personale. Këtu ka pasur sigurim vite më parë por tash e disa vite jo, kjo është shumë shqetësuese”.

Florim Hodolli, banor i Podujevës ka thënë se “Nuk është në rregull me ndodh në një institucion shtetërore diqka e till, cka presume na si qytetarë pas këtij rasti. Përgjegjësia duhet të jetë të insitucionet”.

Imer Luta, banor i Podujevës ka thënë se “Është shqetësuese kjo por duhet më kanë një roj këtu që e runë objektin, ma heret ka qenë një tash s’ka, këtu janë pasoshat e leternjoftimat dhe nëse ato janë të rrezikuara nuk di ma çka me thanë”.

Televizioni Dukagjini, ka mësuar se për sigurinë e Qendrës së Regjistrimit Civil në Podujevë tash e dy vite nuk kujdeset askush dhe se kjo qendër monitorohet vetëm nga kamerat e sigurisë.