Vjedhja në Thesarin e Shtetit, u vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi Kadri Shalës dhe Labinot Grudës

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Kadri Shalës dhe Labinot Grudës, të dyshuar për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Kadri Shalës dhe Labinot Grudës i është vazhduar paraburgimi deri në muajin maj të këtij viti. Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar, zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin K.SH. në kohëzgjatje edhe për dy muaj, respektivisht prej datës 23 mars 2021 deri me datë 22 maj 2021, ndërsa edhe të pandehurit L.G. i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, prej datës 17 mars 2021 deri me datë 16 maj 2021”, ka thënë Gashi.

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020, ku përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja tashmë në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo bëri të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

Prokuria Speciale e Kosovës në shkurt të këtij viti ka njoftuar se lidhur me këtë rast ka bllokuar 34 llogari bankare dhe janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar 4 vetura.

“Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, kishte bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi.