Vizita e Ramës në Hagë, Krasniqi: Faleminderit nga zemra Kryeministrit Rama për kujdesin vëllazëror

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për kujdesin vëllazëror që ai po tregon ndaj Kosovës, pasi vizitoi ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se vizita e Ramës në Hagë nderon luftën e denjë të UÇK-së dhe rikujton se vlerat solidare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të përtejkufijshme..

“Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij

Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar – luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë”, shkroi Krasniqi.