Vitia e nis mandatin në “stilin Vetëvendosje”, piskama, akuza e ofendime në drejtim të opozitës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë paraqitjen e parë të tij në Kuvend të Kosovës, në “stilin Vetëvendosje”; ka hedhur akuza në drejtim të deputetëve të opozitës që kanë kërkuar llogaridhënie nga ana e tij lidhur me keqpërdorimin e 12 milionëve nga ana e bordit të SHSKUK-së, çështjes së çmimit të barnave e listave të pritjes në QKUK.

Vitia me piskama përpara deputetëve pati akuzat e zakonshme, derisa u zotua se “nuk do ta lejonte askënd më ta shkel ligjin”, raporton Demokracia.com.

“Në asnjë moment nuk do të lejojë as të shkelet ligji, e as të bëhen tejkalime të ligjit. Unë ju bëj thirrje të gjitha kompanive pa dallim, regjistroni produktet e juaja. Jam kundër monopolit. Do ta marr edhe përsipër vetë, bashkë me të gjithë administratën në AKPM që të jenë procedurat sa më të thjeshtuara të regjistrimit. Produktet e pa regjistruara nuk do të lejohen në Republikën e Kosovës. Nëse nuk ma garanton me autorizim cilësinë e këtij produkti, nuk do ta bëjë këtë sepse përndryshe e shkeli ligjin”, ka deklaruar ai.

Tutje, çuditërisht Vitia ka deklaruar se me Ligjin e Pagave janë ndarë të kënaqur mjekët.

“Sa i përket Ligjit të Pagave, vetëm pyetni mjekët në tërësi sa janë të kënaqur me Ligjin e Pagave. Mu mjekët po më shkrujnë ndryshe. Pyeteni rajonin sa i kanë pagat specialistët pastaj vijmë i diskutojmë”.

Me Vitinë ka argumentuar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, teksa ia ka rikujtuar se si mazhoranca kishte refuzuar ta votonte Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.

“Ky është i gatshëm për t’u përgjigjur për gjithçka por jo vetëm jo periudhën për të cilin udhëheq MSH-në. Ky është i gatshëm me u përgjigj për një organogram të PAN-it, por s’është i gatshëm për t’u përgjigj për keqpërdorim të 12 milionëve nga bordi i SHSKUK-së. Po harrojmë që në kohën e pandemisë ky është ministri që ka nënshkruar kontrata pa autorizim marketingu. Është hetuar për këtë gjë. Ky po harron që këtu duhet të përgjigjet përballa deputetëve. Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave ka qenë funksional. Pse s’është votu para një viti nga mazhoranca? Është sjellë tani, në rregull do ta shqyrtojmë tani se çfarë ka në atë ligj”, ka deklaruar ai.