Ishulli Samoa

Viti 2019, festë me drita! Spektakël me fishekzjarre në Sidnei të Australisë (FOTO/VIDEO)

Samoa dhe Kiribati e thanë të parët “Gëzuar Vitin e Ri 2019”! Ishulli i vogël i Samoas, me më pak se 200 mijë banorë, vazhdon t’i çelë i pari festimet, që kur zgjodhi të kapërcente kufirin e datës së Paqësorit, duke e çuar 24 orë përpara.

Menjëherë pas tij, fishekzjarret shpërthyen në një shfaqje magjike në Auckland të Zelandës së Re, ku “Sky Tower” dhe “Harbour Bridge” ndriçuan qiellin e natës në mënyrën më të bukur të mundshme.

Por, më madhështori nga të gjithë mbetet spektakli piroteknik i Sidneit në Australi. Edhe pse përpara ngjarjes, qielli i vuri në lojë mijëra njerëzit e mbledhur në “Harbour Bridge”, duke dërguar një rrebesh shiu e duke detyruar anulimin e një spektakli ajror në zonë, asgjë nuk i mbajti ata larg kremtimit të shumëpritur, që nuk i zhgënjeu pritshmëritë as këtë radhë.

Pas Australisë, në pritje për të trokitur gotat janë vënë japonezët, Indonezia e disa pjesë të Rusisë, ku pati dhe nga ata që e festuan Vitin e Ri përpara, me një kredhje në ujërat e ngrira të një plazhi në Vladivostok.

Në Londër, turma të mëdha njerëzish do ta presin ndërrimin e viteve në brigjet e lumit “Tamiz”.

Gazetarët pritet të jenë të ftuarit e nderit në festën e madhe të ndërrimit të viteve në “Times Square” të Nju Jorkut, ku organizatorët e kremtimeve thonë se i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë lirisë së shtypit, pas një viti të pazakonshëm për nga dhuna ndaj reporterëve në Shtetet e Bashkuara.

Franca, nga ana tjetër, ka angazhuar mijëra forca sigure në përpjekje për ta mbajtur situatën nën kontroll, pas lajmeve se festimeve publike mund t’i bashkohen edhe “jelekët e verdhë”. Ndër vendet e fundit të globit që presin trokitjen e Vitit të Ri do të jenë ishujt amerikane Baker dhe Howland Island, ku 2019-a mbërrin mesditën e 1 janarit me orën europiane.