Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, e ka prezantuar sot kandidatin e radhës për Asamble Komunale për garën zgjedhore të 12 tetorit. Bëhet fjalë për Visar Kuçin, i cili aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Urbanizmit, Planifikimit dhe Mjedisit në Suharekë.

“Është me titull Bachelor në Inxhinieri dhe Arkitekturë dhe Bachelor në Menaxhim Emergjencash.

Në këto 4 vite, Visari ka sjellë ndryshime të mëdha: përfundoi Hartën Zonale, Planin e Mobilitetit Urban, Planin Lokal të Veprimit në Mjedis, inicioi shumë plane rregulluese dhe digjitalizoi dokumentet hapësinore  duke e bërë Suharekën një nga komunat më të suksesshme në planifikim urban”, ka shkruar Muharremaj për Kuçin.

Sipas tij, ai menaxhoi projekte kapitale dhe la gjurmë të qarta në zhvillimin e komunës.

“Me punën e tij ka kontribuar në krijimin e hapësirave funksionale, të gjelbëruara dhe moderne, duke i dhënë qytetit një drejtim zhvillimor afatgjatë”, ka shkruar Muharremaj. /Ballkani.info/