Kandidati i LDK-së për deputet, Visar Azemi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosrealizim të premtimeve në sektorin e energjisë.
Ai ka bërë me dije se Qeveria ka dështuar në rehabilitimin e blloqeve Kosova A dhe B2.
Sipas strategjisë së energjisë, ka vlerësuar ai, në vitin 2025 do të duhej të finalizohej edhe Blloku B2.
“Kosova A – një pasuri e rëndësishme për prodhimin e energjisë në vendin tonë – vazhdon të lihet pas dore përkundër nevojës urgjente për rehabilitim. Qeveria e Kosovës nuk i ka qëndruar pas zotimit që kanë paraparë pasi sipas programit afati i fundit për rehabilitim ishte viti 2024. Sipas strategjisë së energjisë ne vitin 2025 do të duhej të finalizohej edhe Blloku B2, por qeveria është tepër vonë. Nga vonesat ka përfituar vetëm mafia energjetike në krye me Martin Berishajn, është vjedhur shteti e qytetarët kanë paguar me shtrenjtë rrymën dhe kanë mbetur në terr”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka plan të qartë për sektorin e energjisë.
“Vonesat e qeverisë për të ndërmarrë hapat e duhur janë të papranueshme, veçanërisht në kohën kur stabiliteti energjetik është prioritet kombëtar. Kjo qasje duhet të marrë fund më 9 shkurt. LDK-ja ka plan të qartë për sektorin e energjisë, si projketi për ndërtimin e Termocentralit me Gaz në Ferizaj”, ka shkruar Azemi.







