Video nga momenti kur dy persona ia vunë flakën barnatores “Rexall” në Prishtinë

Mbrëmjen e së shtunës persona të panjohur i kanë vënë flakën barnatores “Rexall” në lagjen “Dardania” në Prishtinë

Dëme të mëdha materiale ka shkaktuar zjarri i cili po dyshohet se u ndez qëllimisht në barnatoren “Rexall” në kryeqytet.

Gazeta Express ka siguruar pamje ekskluzive të kamerave të sigurisë, ku shihet se dy persona janë afruar pranë barnatores, ku pas qëndrimit për pak minuta, shpërthen zjarri i cili dogji barnatoren.

Në fotot e siguruara nga Gazeta, shihet se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Ndërkohë, Policia mbrëmjen e së shtunës ka konfirmuar për Express se nuk ka pasur persona të lënduar nga zjarri.

“Në ora 18:04, policia është njoftuar për një zjarr në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ Prishtinë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikëse që i janë përgjigjur njoftimit. Nga zjarri nuk ka persona të lënduar”, ka konfirmuar policia.