Video/ Momente tmerri! Futbollisti 16-vjeçar goditet nga rrufeja gjatë seancës stërvitore

Një futbollist 16-vjeçar rus ka përfunduar në gjendje kome, pasi u godit nga një rrufe gjatë stërvitjes.

Ivan Zaborsky, është duke luftuar për jetën, ku aktualisht ndodhet në një spital të Moskës. Adoleshenti, që po bënte stërvitje të diferencuar nga grupi, kishte rreth qafës një zinxhir metalik, i cili u bë shkak i goditjes së rrufesë. Në videon e bërë virale, Ivan shihet teksa godet topin dhe menjëherë pas këtij veprimi e godet rrufeja.

Kanë qenë shokët dhe trajnerët e ekipit që i kanë dhënë ndihmën e parë dhe më pas kanë pritur mbërritjen e urgjencës spitalore. Raportohet se momentalisht gjendja shëndetësore e të riut është e rënduar.

Ndërkaq, në lidhje me incidentin ka folur dhe motra e futbollistit, Katerina, e cila tha:

“Mjekët thonë që ai ka lindur me këmishë. Unë ende nuk di shumë detaje. Nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur. Falenderojmë trajnerët dhe shokët e ekipit që i kanë dhënë ndihmën e parë. Vëllai ende mund të ketë një shpresë për t’u shëruar”.