Luftëtari i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ridvan Tahiri, është shprehur i pakënaqur me numrin e protestuesve që morën pjesë në tubimet në mbështetje të çlirimtarëve që po gjykohen në Hagë. Në një deklaratë për Ballkani.info, Tahiri theksoi se priste mobilizim shumë më të madh nga qytetarët.

Ai u shpreh se kauza e mbrojtjes së çlirimtarëve është e përbashkët dhe nuk duhet të identifikohet me asnjë subjekt politik.

“Politika nuk duhet të ndërhyjë në protesta të tilla. Çlirimtarët në Hagë nuk i takojnë vetëm një partie, por të gjithë popullit,” theksoi Tahiri.

Sipas tij, organizimet e tilla duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të çlirohen nga ndikimet partiake, në mënyrë që të përçojnë mesazhin e vërtetë të mbështetjes për ata që kanë kontribuar në lirinë e vendit.