Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, përmes një video ka paraqitur bukuritë që ofron kjo komunë, duke filluar nga malet e Moknës, Lugu i Butë e deri te peshku i famshëm i Troftës.

“Buzë maleve të Moknës dhe të Lugut të Butë, në Rrafshin e Dukagjinit, aty ku lindin burimet më të pastra dhe ku ajri ka shijen e qetësisë, shtrihet Istogu, një thesar për ata që kërkojnë paqe, frymëzim dhe jetë të shëndetshme. Në pranverë, çdo pëllëmbë gjelbëron si të ishte një poezi e shkruar nga vetë natyra. Në verë, bjeshkët e Istogut freskojnë zemrat e udhëtarëve. Vjeshta i dhuron Istogut ngjyra që pikturojnë kujtimet e kujtdo që e viziton, ndërsa dimri i sjell hijeshi me borë e ngrohtësi dhe mikpritje”, ka shkruar ai.

Por sipas tij, ajo që e bën këtë vend edhe më të veçantë janë njerëzit e tij, të qetë, të dashur, punëtorë e mikpritës, në harmoni të plotë me natyrën që i rrethon.

“Istogu është vendi ku mund të ecësh nëpër shtigje alpine, të pushosh pranë burimeve të freskëta, të shijosh një drekë me specialitetin tonë peshkun dhe prodhimet vendore dhe të kuptosh se jetesa e shëndetshme në Istog nuk është luks por përditshmëri. Është vendi që të fton për të kaluar një ditë aktive mes natyrës, një drekë relaksuese me familjarët e shumë atraksione, adrenalinë e të tjera”, shkruan tutje kryetari Feriati.

Postimi i plotë: