VIDEO/ Gazetari italian: U kërcënova me vdekje pas emisionit për narkotrafikun ku përmendej Tahiri

Televizioni publik italian Rai3 dhe emisioni “Fuori TG” i kanë dedikuar një emision të plotë asaj që po ndodh me mungesën e lirisë së fjalës në Shqipëri. Në një lidhje telefonike gazetari italian, Valerio Cataldi, i cili ka bërë emisionin mbi trafikun e drogës në Shqipëri dhe për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në të tregoi eksperiencën personale duke u shprehur se përveç kërcënimeve, faktet e transmetuara janë quajtur “fake news” nga vetë kryeministri Rama.

“Ne kemi realizuar një emision special për narkotrafikun me 5 pjesë dhe njëra prej tyre iu dedikua Shqipërisë dhe që u transmetua këtë verë. Pjesa për Shqipërinë tregonte situatën atje sa i takon narkotrafikut se si mafia shqiptare ka marrë forcë dhe tregonte se si politika ishte e përfshirë në hetime dhe në çështje të narkotrafikut.

Në veçanti ne përmendim një rast që i takonte ministrit të Brendshëm që ishte i përfshirë sepse një narkotrafikant i kapur në Katania dhe që bashkëpunonte me Cosa Nostra ishte kushëriri i tij dhe që udhëtonte në një makinë të dhënë nga ministri i Brendshëm. Ishte një rast i qartë dhe më pas gjykata në Shqipëri e dënoi ministrin. Kur kjo gjë u transmetua provokoi një reagim të fuqishëm nga ana e qeverisë shqiptare.

Kur publikuam emisionin ishte vetë kryeministri që shkruante në Facebook gjëra të tmerrshme. Shkruante se ishim gënjeshtarë, që ishin të gjitha gjëra të shpikura, që nuk ishin të vërteta. Pas këtik komenti të dhunshëm të kryeministrit mora kërcënime edhe me vdekje, madje. Në drejtimin tim erdhën fyerje të vazhdueshme edhe në drejtim të emisionit tonë që akuzohej se kishte fabrikuar fake news” – tha Cataldi.