Vidal “thumbon” Valverden pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Bilbaos

Arturo Vidal kthehet si protagonist në rrjetet sociale, pas barazimit 0-0 të Barcelonës në fushën e Athletic Bilbao.

Zëvendësimi në minutën e 63-të nuk është kapërdirë lehtë nga ish mesfushori i Juventusit dhe Bayern Munich. Pas një periudhe të qetë në kanalet virtuale të komunikimit, ai është kthyer për të lëshuar “shigjeta”.

Pavarësisht se luajti ndeshjen e tretë radhazi në La Liga, zëvendësimi ishte i papritur për lojtarin e datëlindjes 1987, i cili u ul i mërzitur në stol dhe la të nënkuptojë zhgënjimin e tij me vendimin e trajnerit Valverde.

Më vonë, pas ndeshjes, kileni ka postuar një video në Instagram, bashkë me një mesazh, që mund t’i drejtohet Ernesto Valverdes. Përveç “emoji”, zgjedhja muzikore nuk është e rastit, “Vivencias remix”, me një strofë emblematike: “Ata duan të më shohin duke gabuar, por nuk do të dorëzohem. Zemra ime është e një luftëtari. Këto janë rregullat e lojës dhe kushdo që i thyen ato, do të paguajë”.

Këtë sezon, pas transferimit te klubi “Blaugrana”, Vidal ka luajtur në 31 ndeshje, mes La Ligas dhe Kupës së Mbretit, por vetëm 15 herë si titullar dhe vetëm 7 herë në fushë, për 90 minuta.

Marrëdhënia e tij me Valverde duket se nuk është riparuar, pas polemikave në fillim të sezonit. Kjo “shigjetë” e mundshme ndaj trajnerit nuk mund ta përmirësojë pozicionin e kilenit.