Vialli mbështet Juventusin të fitojë Champions Leaguen

Juventusi i Massimiliano Allegrit ka kualitetin e mjaftueshëm për të përfunduar makthin 22 vjeçar të “bianconerëve” në Champions League, mendon Gianluca Vialli.

Vialli ishte pjesë e Juventusit në fitoren ndaj Ajaxit në finalen e Champions League të mbajtur në Romë, ndërsa ish sulmuesi i “Zonjës së Vjetër” mendon se kampionët e Italisë janë favoritët kryesor për ta fituar kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

“Juventusi është skuadra më e fortë në Europë. Nuk po flas vetëm për skuadrën titullare por edhe ata rezervistë. Klubi bëri shumë mirë me transferimin e Cristiano Ronaldos. Kjo skuadër është shumë më e mirë se ajo e 22 viteve më parë. Allegri ka në dispozicion dy skuadra, kurse Lippi ishte i bazuar te një strukturë solide dhe nuk e kishte Ronaldon”, deklaroi Vialli për La Gazzetta dello Sport.

Juventusi e ka nisur me 3 fitore grupin në këtë edicion të Champions League, teksa synon të bëjë hapin e fundit pas dy finaleve të humbura në vitet 2015 kundër Barcelonës dhe në vitin 2017 ndaj Real Madridit.