Vetting-u, opsioni i vetëm apo i fundit? Albulena Haxhiu sfidon qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së për drejtësinë

Komisioni Evropian e ka përsëritur qëndrimin se e sheh si mundësi të fundit vetting-un si metodë për reformat në drejtësi, përkundër që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po e sheh si formën e vetme për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, u kërkua që të mos injorohen qëndrimet, të cilat bartin skepticizëm, të BE-së dhe SHBA-së për vetting-un.

Një zëdhënëse e KE-së, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, ka thënë se BE-ja janë në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias për koncept-dokumentin e vetting-ut, në mënyrë që të identifikohet një rrugë në përputhje me standardet evropiane.

“Pozicioni i Komisionit Evropian ka qenë konsistent: Vetting-u i plotë duhet të mbetet masë e jashtëzakonshme dhe duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë ezauruar mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar llogaridhënien”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga zëdhënësja e KE-së.

“Komisioni Evropian ka marrë një shënim pozitiv të planeve të qeverisë për të nisur ‘vetting’-un në gjyqësor. Kjo është diskutuar në detaje gjatë Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë më 7 dhjetor dhe në takimet bilaterale të mbajtura që nga ajo kohë. Presim me padurim të vazhdojmë diskutimet me autoritetet e Kosovës, në bazë të opinionit të ardhshëm të Komisionit të Venecias për koncept dokumentin e qeverisë, në mënyrë që të identifikohet një rrugë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, thuhet më tej në përgjigje.

BE-ja, thuhet më tej në përgjigje, mbështet plotësisht Kosovën në përmirësimin e përformancës në fushën e sundimit të ligjit.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në adresë të Departamentit amerikan të Drejtësisë për opinionin e tyre në çështjen e vetting-ut, por këta të fundit nuk kanë pranuar ta komentojnë atë. Për çështjen e verifikimit të gjykatësve e prokurorëve në Kosovë u pati deklaruar këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens. Kjo e fundit ka kërkuar që vetting-u, krahas Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, duhet të hartohen me kujdes.

“Gjëja e parë është që ju (Kosova) duhet të vendosni se çfarë të nënkuptoni me vetting. Termi vetting, siç kuptohet, të paktën në Shtetet e Bashkuara, është që të vlerësoni rreziqet që një individ mund të ketë për ekspozim ose turpërim të institucionit ku ata kanë qenë në pozita që kërkojnë besim. Mendoj se ne hyjmë në vështirësi… Siç e dini dhe ju, më 2009 dhe 2010, Kosova ka bërë vetting. Ai proces më pas u adoptua dhe u përshtat në Shqipëri. Nuk mund të keni një sistem ku ju e bëni të njëjtën gjë vazhdimisht, sikurse vettingu që u krye një herë”, ka deklaruar ndër të tjera ajo në një intervistë për REL-in.

Në anën tjetër, në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, është kërkuar që Qeveria e Kosovës të ketë parasysh rezervat e SHBA-së dhe BE-së për çështjen e vetting-ut dhe të shihet si mjeti i fundit për reformat në drejtësi.

Mirëpo, përkundër rezervave të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po e sheh vetting-un si opsionin e vetëm për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ajo këto deklarata i bëri në Komisionin për Integrime Evropiane, duke pretenduar për dështime të institucioneve të gjyqësorit nëpër rastet e profileve të larta për krim e korrupsion.

“Në të kaluarën, sidomos në rastin e veteranëve kemi pasur hapur ndikime te prokurori Elez Blakaj, i cili fatkeqësisht u detyra të lëshojë vendin dhe largohet nga Kosova. Por me qeverinë tonë s’do të ketë situata apo rrethana që një prokuror apo gjyqtar kërcënohet për lëndën që po e trajton. Prandaj, po them se nuk kam besim se pa procesin e vettingut do të kemi veprime serioze në raport, sidomos me rastet e krimit dhe korrupsionit. Prandaj jemi duke e bërë një reformë të thellë të drejtësisë”, ka deklaruar ajo.

Përkrahje vetting-ut i patën dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani, duke e parë si të vetmën formë të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Deri më tani, Qeveria Kurti ka arritur të formojë grupin punues për vetting në sistemin e drejtësisë. Përfaqësues në këtë grup, krahas përfaqësuesve të drejtësisë, do të ketë edhe anëtarë nga shoqëria civile e ekspertë.

Ministria e Drejtësisë ka dërguar Koncept Dokumentin për Vetting në Komisionin e Venecias dhe është në pritje të një opinioni nga ana e këtij komisioni.