Avni Ajeti

Veterani i UÇK-së: Pas rënies së Zahir Pajazitit, organizimi i luftës së UÇK-së mbeti mbi supet e Konushevcit

Avni Ajeti, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bashkëluftëtar i heroit Ilir Konushevcit, ka thënë se pas rënies së Zahir Pajazitit, organizimi i luftës së UÇK-së mbeti mbi supet e Konushevcit.

Duke folur për Zahir Pajazitin, Ajeti është shprehur se rënia e tij ishte humbje për të gjithë UÇK-në, derisa morali i gjithë bashkëluftëtarëve atëherë kishte rënë shumë.

“Këtu është roli i Ilir Konushevcit ku e mori gjithë përgjegjësinë dhe tha se ne nuk mundemi të kryejmë amanetin e djemve që ranë, por ne jemi ata që duhet ta vazhdojmë luftën me të gjitha pasojat që do të bien mbi ne. Ishte një lloj morali i tyre që na ngjalli për së dyti dhe nuk na la që të na bjerë morali…Ilir Konushevci mori përsipër barrën më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi ne u dekonspiruam, realisht unë, Ilir Konushevci, Shaip Haziri u deshë të kalojmë në Shqipëri dhe nga atje të zhvillojmë veprimtarinë tone në kuadër të UÇK-së”, ka thënë Ajeti në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.

Ajeti ka thënë se organizmi i luftës së UÇK-së ishte i forcuar aq sa në vijat e frontit dhe sipas tij, në zonën e Llapit ishte shumë i vështirë depërtimi i armatimit. “Përgjegjësia e djemve që vepronin nga Shqipëria për në Llap ishte më e madhja dhe më e vështira”, është shprehur ai.

Veterani i UÇK-së ka treguar se lidhjet e Ilir Konushevcit ishin të ndërtuara fatmirësisht edhe nga Zahir Pajaziti.

“Personalisht, Ilir Konushevcin e kam njohur në mes të vitit 1995 ose në fillim të vitit 1996, pra kur ka ardhur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shaip Haziri ka qenë me Zahir Pajazitin në stërvitjet e viteve të 90-ta. Njohja e tyre me Ilir Konushevcin nuk kishte ndonjë diskutim, ishin djemtë më të mire që mund t’i kishte UÇK-ja”, ka theksuar ai.

Më tej, Ajeti ka potencuar se kur përvjetorët e tyre vijnë ndjehet nostalgjik për ta sepse ishin të nderuar nga ana e tyre.

“Karakteri i Zahirit ka qenë pak më i ashpër, ndërsa Hakifi dhe Ilirin aq njerëz të butë dhe të mire me neve, sa që nuk kanë ditur të të drejtohen me fjalë të rënda asnjëherë. Këta njerӕz ishin ata që dëshironim të gjithë t’i kemi miq dhe të punojmë me ta”, ka deklaruar veterani i UÇK-së.