Anësori kosovar

Vetëm Zhegrova prej futbollistëve të Kosovës i uroi vajzat për fitoren e mbrëmshme

Ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës e nisi me fitore fazën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021, mirëpo për këtë arritje vetëm Eden Zhegrova, nga të gjithë futbollistët e ekipit të djemve të Kosovës, i uroi vashat.

Kombëtarja e Kosovës i nisi në mënyrë më të mirë të mundshme kualifikimet për EURO 2021. Në ndeshjen hapëse të Grupit A “Dardanet” shënuan fitore me rezultat 2-0 kundër Turqisë.

Vajzat shfaqen formë të mirë gjatë 90 minutave lojë në “Fadil Vokrri”, ku i ndoqën mbi katër mijë tifozë. Rezultatin e zhbllokoi Modesta Uka, në minutën e 33-të, kur gjuajti saktë brenda zonës për ta dërguar topin në rrjetën e portës turke.

Ky gol iu dha zemër edhe më shumë futbollisteve, të cilat shumë shpejt e shënuan edhe golin e dytë. Kësaj radhe ishte Liridona Syla, e cila me një gjuajtje të fortë e nguliti topin në rrjetë për 2-0, kur po zhvillohej minuta e 39-të.

Loja e mirë e Dardaneve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku krahas lojës së mirë në mbrojtje u shfaqën shumë të rrezikshme edhe në sulm për ta përmbyllur me sukses sfidën e parë të këtyre eliminatoreve.

Megjithatë, për këtë arritje të Kosovës vetëm Zhegrova postoi në llogarinë e tij në rrjete sociale, ndërsa djemtë e tjerë të Kombëtares së Kosovës nuk postuan fare.

“Urime për vajzat tona. Jam krenar”, shkroi Zhegrova në Instagram.

Kosova për kundërshtare në grup i ka edhe Holandën (kampione në fuqi e Evropës), Rusinë, Slloveninë dhe Estoninë. Ndeshjen e ardhshme Dardanet do ta luajnë më 3 shtator si mysafire kundër Sllovenisë.

loading…