Vetëm 30 minuta pas zyrtarizimit, PSG-ja shiti të gjitha fanellat me emrin e Messit

Tifozët e Paris Saint-Germainit kanë pushtuar uebfaqen e dyqanit online të klubit dhe kanë blerë të gjitha fanellat që ishin në dispozicion me emrin e Lionel Messit, për vetëm 30 minuta që kur u zyrtarizua nënshkrimi i tij.

Gjashtë herë kampioni i Topit të Artë arriti në Paris të martën për testimet mjekësore para kompletimit të transferimit sensacional në Ligue 1.

Messi, kontrata e të cilit me Barçën skadoi në fund të qershorit, ka nënshkruar për dy vjet me PSG-në me opsionin për edhe vitin e tretë.

PSG-ja konfirmoi se 34-vjeçari argjentinas do të bartë fanellën me numrin 30.

Ai u prezantua pas orës 22, sipas kohës sonë lokale, dhe vetëm 30 minuta më vonë në dyqanin e PSG-së ishin të shitura të gjitha fanellat me emrin e Messit.

Megjithatë, të mërkurën në mëngjes, në dyqanin zyrtar të PSG-së, mund të gjenden fanella të tilla.