Kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur rreth qëndrimit të opozitës në dialogun me Serbinë. Veseli thotë se është i gatshëm t’ia lëshojë pushtetin Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që ajo të bëhet pjesë e dialogut, ndërsa ka shtuar se partia e tij nuk e ka tradhtuar Isa Mustafën kur u rrezua qeveria në të cilën ishin bashkë.
Kreu i PDK’së thotë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhjet, të cilat po i kërkon LDK’ja, por sipas tij, partia e Mustafës duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Veseli thotë se ka pasur disa zgjedhje kur LDK-ja nuk e ka pranuar humbjen.
“Ata nuk janë as për zgjedhje. Nëse janë për zgjedhje atëherë ta bëjmë reformën zgjedhore dhe pas zgjedhjeve të pranohet rezultati. LDK ka disa zgjedhje që nuk i ka pranuar zgjedhjet”, ka thënë Veseli për T7.
Veseli ka thënë se Qeverinë Mustafa nuk e ka rrezuar PDK’ja, por deputetët e LDK’së, si Vjosa Osmani dhe Anton Quni, që nuk e votuan demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai shton se duhet respektuar insistimin e ndërkombëtarëve që të arrihet marrëveshja me Serbinë, ndërsa thotë se është i gatshëm t’ia lëshojë vendin LDK’së dhe të dalë në opozitë.
Pas kësaj deklarate ka reaguar deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se Kadri Vesel është shndërruar në një figurë komike të skenës politike në Kosovë.
“Veseli është shndërruar në një figurë komike të skenës politike në Kosovë. Asnjë njeri racional nuk i merr seriozisht këto deklarata të tij”, ka thënë ajo.
Osmani thotë se PDK e ka në ADN tradhtinë dhe mashtrimin.
“Për që PDK është parti që e ka ne ADN-nën e saj tradhtinë e mashtrimin, këtë ja ka dëshmuar secilës parti me të cilën ka qeverisur deri me tani, dhe ketë po ja dëshmon edhe kryeministrit te tanishëm”.
Deputetja e LDK’së ka thënë se sharjet dhe kritikat, për ta janë veç forcë dhe bashkim.
“Ndërkaq neve si LDK, sa më shumë që po na shajnë e po tentojnë te na përlajnë, aq me të fortë e me të bashkuar po bëhemi”. /Ballkani.info/







