Veseli mirëpret në PDK, njeriun që u lirua nga aktakuza për korrupsion për shkak të vjetërsimit të lëndës

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka prezantuar aderimin ri e në PDK, Lulzim Berishën.

Veseli, i cili po premton luftimin e korrupsionit e nepotizmit, gjatë prezantimit të ekspertit të ekonomisë, Lulzim Berisha ka thënë se është krenar që Berisha u është bashkuar në ‘vizionin e PDK-së’.

Por, i sapoaderuari në PDK deri para dy muajsh është përballur me akuza për keqpërdorime.

Berisha ka qenë duke u gjykuar nga departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmeton Koha Ditore.

Kryetare e trupit gjykues në këtë rast është Nushe Kukaj-Mekaj ndërsa prokurore e rastit Merrushe Llugiqi.

Ndjekja ndaj tij ka pushuar në muajin maj për shkak se lënda është parashkruar. Ai ka qenë i akuzuar së bashku me biznesmenin, Aziz Tafaj. Gjykimi ndaj Tafajt është duke vazhduar.

Berisha akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ai pretendohej se në kohën sa ishte auditor në firmën “Imobiliare Friuli”, i kishte ndihmuar të akuzuarit Tafaj edhe pse e kishte ditur gjendjen reale të çmimeve të blerjes së patundshmërive, dhe ua kishte dërguar përmes fax-it palëve të dëmtuara bilancet e rreme..

Megjithatë fajësia ose pafajësia e Berishës në këtë rast nuk është dëshmuar në gjykatë për shkak të institutit të parashkrimit.

Parashkrimi ose vjetërsimi i lëndës sipas Kodit të Procedurës Penale nënkupton pushimin e ndjekjes penale nëse gjykimi nuk përfundohet në afatin kohor sa është dyfishi i kohës që i akuzuari mund të akuzohet për veprën të cilën hetohet ose gjykohet.

loading…