Veseli deklarohet sërish për fotografinë e Brovinës: Na erdhi si bombë – por nuk duhet linçuar deputeten

Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherit kryetari i PDK-së sërish sot ka folur për publikimin e fotografisë nga deputetja e partisë së tij, Flora Brovina, fotografi kjo që nxiti shumë reagime dhe po del të jetë e falsifikuar.

Veseli e ka cilësuar si shumë të gabuar veprimin e Brovinës, por ka kërkuar të mos linçohet e ajo. Sipas tij fotografia e publikuar nga Brovina erdhi si bombë.

Ai ka theksuar se priste që reagimet ndaj deputetes, Brovina të jenë më të balancuara.

“Nga dita kur kam filluar këtë iniciativë janë shfaqur dilema, frika e hezitim dhe si të brishtë që jemi na erdhi si bombë edhe fotoja, atë ditë Flora Brovina bëri një gabim shumë të rëndë. Në këto rreshta Flora është vet viktimë e gjenocidit serb, Flora dhe sjellja e saj sado që është gabim shumë i madh është edhe pasojë e atij gjenocidi serb – reagimet pastaj kanë mundur të jenë pak më të balancuara dhe më të përmbajtura ndaj Flora Brovinës si individ duke marrë parasysh rrethanat e saj jetësore dhe kontributin e saj – e jo tentuese për t’a linçuar ose edhe më keq nxitur si komplot të qëllimshëm politik”, ka deklaruar Veseli.

Veseli tha se dhunimet në Kosovë janë fakt i ditur botërisht. Ai theksoi se nuk duhen fotografi për të treguar dhunën që gratë shqiptare përjetuan gjatë luftës në Kosovë

“Nuk na duhej një foto as qindra për t’a dëshmuar këtë sepse qindra gra të dhunuara presin drejtësinë për të dëshmuar”, ka thënë mes tjerash Veseli.

Ditë më parë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina shokoi masën duke publikuar një fotografi – ku shihej sipas saj një grua shqiptare e cila po dhunohej nga tre ushtarë serb në sytë e familjarëve të saj.