Ish mesfushori i Manchester Unitedit, Sebastian Veron ka thënë se “Djajtë e Kuq” duhet të kenë durim me Jose Mourinhon përkundër startit negativ të sezonit.

Argjentinasi beson se duhet kohë për Mourinhon për t’i implementuar idetë e tij në “Old Trafford” në mënyrë që të kthehen ditët e lavdisë sikur nën drejtimin e legjendës, Sir Alex Ferguson.

Gjatë periudhës së skocezit te United, në mesin e shumë trofeve tjerë u fituan 13 tituj të Premier Leagues, 5 FA Cup dhe 2 Champions League.

Ferguson u pensionua në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë Manchester United ka fituar vetëm 3 trofe, nën menaxhimin e David Moyes, Louis van Gaal dhe Jose Mourinhos.

“Largimi i Ferguson pati ndikim negativ te ta. Nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e tyre ende teksa janë bërë shumë ndryshime, sidoqoftë United është klub i madh dhe shpresoj se do të gjejnë idetë e tyre për futbollin. Sipas meje Mourinho është trajner i madh, por pas sukseve të Fergusonit atij do t’i duhet pak kohë për t’i zbatuar idetë e tij”, tregoi Veron.

E ardhmja e Jose Mourinhos është vendosur vazhdimisht në pikëpyetje gjatë këtij sezoni ndërsa United rradhitet në vendin e 8-të me me 12 pikë më pak se lideri, Manchester City.