Veriu në duart e paralelëve

Pas dorëheqjes së katër kryetarëve serbë veriu i Kosovës ka mbetur në duart e qeverisjes paralele, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, tashmë kanë dorëzuar edhe zyrtarisht dorëheqjet e tyre në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

Ndërkohë, në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë bëhet e ditur se zgjedhjet shpallen nga presidenti jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, të komunës ose pas shkarkimit të kryetarit të Kuvendit.

Po ashtu aty ceket se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tash e më shumë se tetë muaj nuk është funksional pasi që ende nuk janë dekretuar anëtarët e rinj të këtij institucioni.