Vera drejt fundit, “çlirimtari” i Shtimes ende merret me tenderin e mirëmbajtjes verore të rrugëve

Rrugët në qytetin e Shtimes nuk janë mirëmbajtur fare këto ditë, pasi tenderi për mirëmbajtën verore të tyre ka dështuar. Ndonëse stina e verës po shkon drejt fundit, udhëheqësit e Komunës së Shtimes ende po merren me këtë tender, por tash edhe përpjekja e fundit ka dështuar.

Komuna e Shtimes e udhëhequr nga Qemajl Aliu, i vetëshpallur “çlirimtar”, ka dështuar keq në mirëmbajtjen verore të rrugëve të qytetit.

Ndonëse stina e verës ka filluar në muajin qershor dhe përfundon në muajin tjetër, kjo komunë ende po merret me tenderin e mirëmbajtjes verore të rrugëve, shkruan Demokracia.com.

Tenderi që ishte shpallur muaj më parë tashmë ka dështuar dhe për këtë dështim ka njoftuar vetë komuna përmes një publikimi të shpallur në e-prokurim.

Komuna e Shtimes ka thënë se kompanitë ofertuese nuk i kanë përmbushur kriteret.

“Për këtë aktivitet të prokurimit kanë apliku dy OE. Asnjëri nga OE nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë dhe në dosje të tenderit”, thuhet në arsyetimin e komunës, përcjell Demokracia.com.

Komuna e Shtimes e udhëhequr nga Qemajl Aliu i kishte bërë planet që puna për mirëmbajtjen të niste këtë muaj dhe të përfundonte në fund të këtij viti.

“Afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve 25.07.2022. Kurse fillimi i punës 05.08.2022 dhe përfundimi  më 30.12.2022”.

Në dosjen e tenderit që ishte shpallur muaj më parë ishte bërë me dije se cilat janë rrugët dhe vendet që do të mirëmbahen nga kompania fituese.

“Rr. Adem Jashari nga qendra deri te rrethi Davidovc 1.6 km dhe anasjelltas duke përfshi dhe bankinat. m’ 3200. Rr. “Komandant Kumanova” qendra deri te rrethi për Ferizaj 1.6 km dhe anasjelltas duke përfshi dhe bankinat. m’ 3200. Rr. Tahir Sinani nga shkolla “Emin Duraku” deri te rrethi Belinc 800m dhe anasjelltas duke përfshi dhe bankinat. m’ 800. Sheshi “Ahmet Shtimja” dhe “Sheshi vogël afër Xhamisë” m’ 850. Varrezat e Veteranëve të Luftës m’ 9600”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Në procesverbalin e hapjes së tenderit është treguar se për mirëmbajtën e rrugëve të Shtimes kanë konkurruar dy kompani.

Nuk dihet tash se çfarë veprime do të marrë Komuna e Shtimes, nëse do ta bëjë ri-shpalljen e këtij tenderi apo do t’i lë rrugët pa mirëmbajtje verore.

Stina e verës fillon më 21 qershor dhe mbaron më 21 shtator. /Demokracia.com/