Vendimi i Kushtetueses për ankesën e Listës Serbe, ish-këshilltari i Kurtit: E mbrojta Qeverinë falas, faleminderit Kryeministër

Gjatë ditës së premte, Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktvendimin në lidhje me lëndën e Listës Serbe e cila mëtonte se ministria e tretë i takonte komunitetit serb. Me anë të këtij vendimi, Kushtetuesja ka hedhur poshtë ankesën e Listës serbe.

E për këtë çështje ka reaguar ish-këshilltari i Albin Kurtit, Durim Berisha.
Në një postim në Facebook, Berisha ka treguar se ishte ai që e përgatiti përgjigjen e Qeverisë Kurti II ndaj pretendimeve të Listës Serbe. Madje, ai shkruan se këtë e bëri pa pagesë.

“Falënderoj Kryeministrin Kurti që më besoi duke kërkuar përfaqësimin -pro bono- të Qeverisë në këtë procedurë”, ka shkruar Berisha.

Postimi i plotë i Berishës:

Falënderoj Kryeministrin Kurti që më besoi duke kërkuar përfaqësimin -pro bono- të Qeverisë në këtë procedurë

Ndonëse kërkesa ishte qartazi e pabazuar, insistuam që Gjykata mos ta shpallë të njëjtën proceduralisht të papranueshme, por të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit zgjedhja e Qeverisë dhe emërimi i ministrave të jetë çështje e gjykuar “res judicata” dhe të sqarohet procedura e zgjedhjes së Qeverisë dhe emërimit (përzgjedhjes) së ministrave (me theks ata që përfaqësojnë komunitetet joshumicë).