Vendimet e Qeverisë nuk vlejnë për Kryeprokurorin Lumezi, incizohet duke pirë kafe brenda lokalit edhe pse masat e ndalojnë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është incizuar sot duke pirë kafe brenda hapësirave të një lokali, në qendër të Prishtinës, ndonëse masat e reja të Qeverisë së Kosovës, që kanë hyrë në fuqi që nga dita e djeshme, e ndalojnë veprimtarinë e gastronomisë, brenda hapësirave të mbyllura.

Pamjet janë publikuar nga portali kallxo.com.

Portali raporton se Lumezi është parë duke qëndruar brenda një lokali, ndërkohë në të njëjtin lokal kishte edhe shumë njerëz të tjerë që po qëndronin.

I pyetur nga gazetari i këtij portali, se pse ka qëndruar brenda hapësirave të lokalit, Lumezi u përgjigj duke thënë se kishte edhe njerëz të tjerë aty.

“Vallahi, pat plotë aty, edhe ne si të tjerët..”, tha Lumezi.Ndërsa i pyetur se a ka qenë në dijeni se nuk i lejohet qëndrimi brenda lokalit, Lumezi tha se nuk e ka pyetur askënd se a lejohet.

“Aty pat plotë njerëz, ne u ulëm..nuk i vetëm a lejohet a nuk lejohet..”.

Kurse i pyetur, se a është dashtë që të lajmërohet Policia, pasi brenda lokalit kishte shumë njerëz, Lumezi u arsyetua duke thënë se “nuk është organ që i mbikëqyr masat”.

“Pse me e lajmëru policinë. Ne nuk jemi organ që e thirrim policinë..janë inspektoriati e organet tjera që i mbikëqyrin masat.. prokuroria nuk e shikon a zbatohet vendimi apo jo”, ka thënë Lumezi.

Ndryshe, mga data 30 gusht, deri më 13 shtator Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja më të ashpra, anti-COVID-19. Pika Gj, për Gastronominë, të vendimit të Qeverisë, thuhet se ndalohen shërbimet në gastronomi, brenda hapësirave të mbyllura.

“Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.