Fundjavën e shkuar luhej Real Madrid-Barcelona, sfida më e bukur në futbollin botëror, por në Portugali pakkush e kishte mendjen tek El Clasico, sepse në Porto luhej ndeshja më e madhe e futbollit portugez, Porto-Benfica.
Nëse në Bernabeu, Barça arriti fitoren e arratisjes në krye, në Porto ishte një duel dramatik, me dy skuadrat që ndaheshin nga vetëm një pikë. Triumf i Benficas 2-1, me përmbysje, në një mbrëmje të çmendur, ku thuajse gjithë Portugalia mbante frymën, sepse këto dy klube kanë pjesën më të madhe të tifozëve anembanë vendit.
Clásico portugez bëri që të gjithë të “ngrinin” para televizorëve, përfshirë rojet e burgjeve, duke bërë që disa të burgosur në Castelo Branco të përfitonin dhe të tentonin arratisjen nga burgu, raporton A Bola.
Duke parë mungesën e kontrolleve për shkak të ndeshjes, të burgosurit provuan të bënin një mur në qelinë e tyre, për t’u arratisur. Megjithatë, plani u shkoi ters, sepse rastësisht u pikasën nga dy roje që me sa duket nuk u interesonte futbolli, ose ishin tifozë të Sportingut. Dy prej të burgosurve u kapën në flagrancë, por asnjë i burgosur nuk u arratis dot.







